Muzeu Kombëtar Onufri në Berat është përshtatur në ambientet e Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, në Kalanë e Beratit, që prej 27 shkurtit të vitit 1986. Muzeu mban emrin “Onufri”, njëri prej kryemjeshtrave të pikturës shqiptare të shek.XVI. Kisha është rindërtuar në vitin 1797 në lagjen Kala, ka qënë katedralia e qytetit Katedralia është monumenti më përfaqësues i arkitekturës pasbizantine në qytetin e Beratit. Koleksioni i muzeut përbëhet nga 173 objekte të përzgjedhura nga një fond prej mëse 1500 objektesh që i takojnë fondeve të kishave dhe manastireve të Shqipërisë, dhe të qytetit të Beratit, ku 106 janë ikona dhe 67 janë objekte liturgjike, dhe u përket piktorëve ikonografë shqiptarë që kanë krijuar në shekujt XIV – XX: Onufri, Nikolla i biri i Onufrit, Onufër Qiprioti, David Selenica, Kostandin Shpatarakut dhe Çetirët ( Gjergji, Nikolla, Johani, Naumi, Gjergji i riu), dhe të shumë piktorëve të tjerë anonim. Ikonabartësin e katedrales së Beratit e ka gdhëndur mjeshtri Naumi nga Lavdari i Oparit dhe mjeshtër Stefan Barka nga Misrasi i Oparit, në mesin e shekullit të XIX-të.

Muzeu Etnografik në Berat u përurua në vitin 1979. Në të përfshihet kultura popullore etnografike e trevës së Beratit, si edhe ajo e Shqipërisë së Jugut. Muzeu është vendosur në një godinë dykatëshe trishekullore, tipike e trevës beratase. Në katin e parë është ngritur një sallë në të cilën është imituar një rrugicë mesjetare me dyqane tradicionale në të dy anët e saj. Në këtë sallë është vendosur edhe pavijoni i lashtësisë. Po kështu, në katin e parë janë vendosur objekte që janë përdorur për përpunimin e ullirit. Në katin e dytë ndodhet çardaku i hapur për pritje miqsh. Në këtë kat ndodhen me radhë arkivi, tezgjahu, dhoma e pritjes e fshatit, kuzhina dhe dhoma e pritjes e qytetit. Në mjediset e jashtme të muzeut janë vendosur shumë objekte origjinale, masive dhe funksionale të kulturës sonë popullore.